Wednesday, 18. November 2026
Sport

“Fol me Kryeministrin”, Rama: Platforma po frekuentohet masivisht nga qytetarët

GS 18/11/2026 2 Min. Lesezeit

Kryeministri Edi Rama ka ndarë detaje mbi funksionimin e platformës “Fol me Kryeministrin”, e cila u mundëson qytetarëve të adresojnë drejtpërdrejt shqetësimet dhe problematikat e tyre pranë qeverisë.

Gjatë një vizite në Agjencinë për Media dhe Informim, Rama u njoh me punën që po kryhet nga stafi për administrimin dhe trajtimin e kërkesave të mbërritura përmes kësaj platforme.

Një vëmendje e veçantë, sipas shpjegimeve të dhëna gjatë prezantimit, i kushtohet çështjeve që lidhen me shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale. Përgjegjësja për këto fusha trajton shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht ato që lidhen me trajtimin dhe përkujdesjen sociale. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë vizitës, mbi 70% e rasteve të trajtuara në këtë drejtim kanë marrë përgjigje.

Gjithashtu, në Agjencinë për Media dhe Informim po punohet edhe për prodhimin dhe përgatitjen e materialeve audiovizuale, me synim informimin e qytetarëve.

“Në Agjencinë për Media dhe Informim, ku punohet  intensivisht edhe për platformën “Fol me Kryeministrin”, e cila ka një frekuentim mbresëlënës nga qytetarët”, shkruan Rama.

Përmes platformës “Fol me Kryeministrin”, qeveria synon të krijojë një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me qytetarët, ku ankesat dhe kërkesat e tyre të marrin trajtim dhe përgjigje nga strukturat përgjegjëse.

/RTSH.AL/

Teilen: