SC Gjilani ka bërë të ditur lëvizjet e para në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, duke konfirmuar largimin e tre futbollistëve nga ekipi i parë.
Klubi kuqebardhë ka njoftuar se bashkëpunimi me Leonit Abazin, Astrit Thaqin dhe Agron Kolajn ka përfunduar, duke i dhënë fund rrugëtimit të tyre me skuadrën nga Anamorava.
Përmes një komunikate zyrtare, drejtuesit e Gjilanit kanë falënderuar tre lojtarët për kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë periudhës sa ishin pjesë e klubit.
Një falënderim i veçantë është adresuar edhe për FC Prishtinën në rastin e Agron Kolajt, me Gjilanin që vlerësoi bashkëpunimin korrekt dhe sportiv mes dy klubeve.
Largimi i Abazit, Thaqit dhe Kolajt vjen në kuadër të riorganizimit të skuadrës për edicionin e ardhshëm, ndërsa klubi pritet të vazhdojë me lëvizje të tjera në merkato gjatë javëve në vijim.
Në fund, Gjilani u ka uruar tre futbollistëve suksese të mëtejshme në karrierë, si dhe shëndet e mbarësi në sfidat e tyre të ardhshme sportive.