Tuesday, 9. June 2026
Sport

Gjyqtarit somalez të Botërorit i ndalohet hyrja në SHBA

GS 09/06/2026 3 Min. Lesezeit

Omar Artan pritej të ishte somalezi i parë që do të drejtonte ndeshje në Kupën e Botës. Por ai është hequr nga lista e arbitrave pasi iu mohua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Artan, gjyqtari i vitit 2025 në Afrikë për meshkuj, është aktualisht në Turqi, shkruan BBC. Atij i është ndaluar hyrja në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit.

Autoritetet e imigracionit në SHBA nuk kanë dhënë asnjë arsye për riatdhesimin e Artanit, por Somalia është një nga vendet në një listë ndalimi për udhëtim, të prezantuar nga administrata e Presidentit Donald Trump.

Pasi foli me autoritetet amerikane, FIFA tha se Artan do të mungojë në Botëror.

“FIFA mund të konfirmojë që gjyqtari i ndeshjeve, Omar Abdulkadir Artan, nuk do të jetë në gjendje të drejtojë në Kupën e Botës pasi iu mohua hyrja në Shetet e Bashkuara”, thuhet në një deklaratë të FIFA-s.

“FIFA nuk është e përfshirë në proceset e imigracionit të vendit pritës, përfshirë vlerësimet për viza, dhe është informuar nga autoritetet se statusi i Artanit nuk do të ndryshohet aktualisht. Në përputhje me ngjarjet e kaluara të FIFA-s, qeveria e vendit organizator përcakton përfundimisht se kush merr vizë dhe kush lejohet në vendin organizator”, ka shkruar tutje FIFA.

Një këshilltar i lartë në ministrinë e Rinisë dhe Sportit në Somali konfirmoi se arbitri nuk ishte lejuar të hynte në SHBA. Ai tha për BBC se Artan kishte udhëtuar me dokumente të vlefshme.

Artanit i ishte lëshuar pasaportë diplomatike për t’ia lehtësuar udhëtimin, pas vështirësive të mëparshme me vizë.

Arbitri foli për “Reuters”, ndërsa tha se pavarësisht rrethanave është në disponim pozitiv dhe i përqendruar në sfidën e ardhshme.

“Dua të falënderoj FIFA-n dhe konfederatën afrikane për gjithë mbështetjen dhe premtoj ta mbaj lart nivelin tim të arbitrimit, ndërsa përqendrohem në të ardhmen”, tha ai.

Ai u ka dëshiruar sukses arbitrave të tjerë, ndërsa ka theksuar se mezi pret t’u bashkohet atyre në garat e ardhshme.

Andrew Giuliani, që drejton një Task-Forcë të Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës tha për BBC se vendimi i doganës dhe patrullës kufitare ishte i duhuri dhe se e mbështet vendimin. Por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Artan ishte në mesin e 52 gjyqtarëve të caktuar nga FIFA për të drejtuar ndeshjet e Botërorit që fillon të enjten.

Artan është arbitër i FIFA-s nga viti 2018, kurse ka drejtuar ndeshje në Kupën e Afrikës.

Teilen: