Thursday, 1. October 2026
Sport

I akuzuar për trafikimin e 50 tonëve kokainë/ Eldi Dizdari ekstradohet nga Dubai në Belgjikë. Çohet direkt në qeli

GS 01/10/2026 2 Min. Lesezeit

Eldi Dizdari, i njohur edhe me emrin Denis Matoshi është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës. Ai është transferuar menjëherë në qeli pas mbërritjes, ndërsa akuzohet për trafikimin e rreth 50 tonëve kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës,

Dizdari, i njohur me pseudonimin “Shqiptari i Gjatë” është dënuar me 10 vjet burg nga gjykata e Antwerp-it të Belgjikës për rolin e tij në trafikimin e drogave.

Ai konsiderohet nga autoritetet belge si një nga figurat drejtuese të organizatës kriminale shqiptare “Kompania Bello”, një rrjet i përbërë nga grupe kriminale shqiptare i dyshuar për importimin në shkallë të gjerë të kokainës nga Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine drejt porteve europiane, veçanërisht Antwerp dhe Rotterdam.

Ekstradimi erdhi pas një procedure të gjatë ligjore teksa Dizdari ndodhej prej rreth dy vitesh në paraburgim në Dubai.

Autoritetet e Emirateve pranuan kërkesën belge, dhe ai u transportua me avion, duke mbërritur në aeroportin ushtarak të Melsbroek-ut.

Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, ka konfirmuar se ai ndodhet tashmë në një prej burgjeve belge. Kjo i hap rrugën ekzekutimit të dënimit dhe pjesëmarrjes së tij në procese të tjera.

Grupi ku bënte pjesë Dizdari, së bashku me Dritan Gjikën dhe të tjerë, u godit nga SPAK-u nën dyshimet për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, grupi dyshohet se ka transportuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian gjatë periudhës 2019-2021.

Operacioni i SPAK-ut çoi në lëshimin e disa urdhër-arresteve, përfshirë edhe ndaj Dizdarit, si dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 150 milionë euro.

Hetimet janë bazuar edhe në komunikime të zbardhura nga aplikacioni i koduar Sky ECC, ku dalin kërkesa për sasi të mëdha kokaine dhe transferime të konsiderueshme parash drejt Ekuadorit.

Emri i Dizdarit figuron prej vitesh në hetime penale në Belgjikë, Itali, Holandë dhe Shqipëri. Emri i tij del në operacione të mëdha ndërkombëtare kundër trafikut të drogës, përfshirë “Kompania Bello” dhe dosje të tjera si “Yaramis” në Antwerp.

/rtsh.al/

Teilen: