Ramon Vega, ish-mbrojtësi 55-vjeçar i Cagliari dhe Tottenham, ka njoftuar synimin e tij për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s vitin e ardhshëm. Ai është i pari që sfidon presidentin aktual, Gianni Infantino. Si ish-lojtar i kombëtares zvicerane, Vega ka punuar në sektorin financiar që nga tërheqja nga futbolli profesionist në vitin 2004.
“Po kandidoj për të bashkuar familjen globale të futbollit, për të zbatuar reforma të mirëfillta dhe afatgjata, për të modernizuar FIFA-n për shekullin e 21-të, për të rikthyer stabilitetin dhe kredibilitetin, si dhe për të rindërtuar besimin për të cilin sporti ynë ka nevojë urgjente,” deklaroi ai.
Vega kishte tentuar të kandidonte edhe më parë, në vitin 2015, pas pezullimit të ish-presidentit Sepp Blatter. Katër vjet më vonë, ai njoftoi synimin për të sfiduar Infantino, por nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme për t’u përfshirë në listën e kandidatëve, pasi nuk siguroi mbështetjen e kërkuar nga pesë prej 211 shoqatave anëtare.
“Po kandidoj sepse jeta ime më ka përgatitur t’i shërbej këtij sporti,” deklaroi Vega, që shtoi: “Futbolli nuk u përket presidentëve, konfederatave apo drejtuesve. Futbolli është sporti i popullit dhe u përket të gjithëve: lojtarëve, trajnerëve, gjyqtarëve, tifozëve, vullnetarëve, klubeve, ligave, shoqatave dhe komuniteteve.”
“Udhëheqja aktuale e ka demoralizuar botën e futbollit. Qeverisja e dobët ka cënuar kredibilitetin e FIFA-s dhe ka gërryer besimin brenda familjes globale të futbollit. Duhet ta parandalojmë përshkallëzimin e këtij konflikti. Luftërat për pushtet në nivelet e larta nuk duhet të lejohen kurrë të dëmtojnë ata që kanë më shumë rëndësi: lojtarët, trajnerët, gjyqtarët dhe tifozët në mbarë botën”, tha ai.
“Ata nuk janë përgjegjës për këto konflikte. Ata meritojnë më mirë. Futbolli mbahet gjallë artificialisht, i lidhur pas aparaturave për të mos vdekur“, tha Ramon Vega.
