Ish-trajneri i Real Madridit, Liverpoolit dhe disa skuadrave të tjera të njohura evropiane, Rafael Benitez, ka komentuar interesimin e Los Blancos për sulmuesin e Atletico Madridit, Julian Alvarez.
Më herët ishte raportuar se Real Madridi kishte paraqitur një ofertë prej 150 milionë eurosh për reprezentuesin argjentinas, por Atletico Madridi e refuzoi menjëherë atë, duke kujtuar se lojtari ka një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurosh.
“Më erdhi si surprizë, sepse nuk e prisja, sidomos duke pasur parasysh se po përmendeshin emra të tjerë”, tha Benitez.
“Ai është pa dyshim një futbollist i shkëlqyer, por problemi është se çmimin nuk e përcakton ti, por tregu”.
“Ne e transferuam Fernando Torresin për 20 milionë funte, që në atë kohë ishin rreth 30 milionë euro. Ishte transferimi më i shtrenjtë në historinë e Liverpoolit. Sot, 150 milionë euro mund të duken shumë, por këto janë çmimet e tregut”.
