Ardon Jashari ka folur për fitoren e rëndësishme të Milanit, ekip që në ndeshjen e fundit të xhiros së tetë në Serie A, mposhti Udinesen 2:0 në udhëtim.
Me këtë triumf, Milani është i katërti në tabelë me 18 pikë kurse Jashari ishte i pazëvendësueshëm në përbërjen e ekipit të trajnerit Ruben Amorim.
Përkrah Jasharit gjatë tërë ndeshjes luajti edhe Luka Modriq, duke bërë që kjo dyshe për herë të parë të startojë një ndeshje te Milani prejse mesfushori shqiptar iu bashkua këtij ekipi vitin e shkuar.
Jashari ka pasur vetëm fjalë të mëdha për Modriqin, duke thënë se mesfushori kroat ka bërë që ai të ndihet me vetëbesim ndaj Udineses.
“Ishte një nder i madh për mua sepse për herë të parë luajtëm së bashku nga fillimi. Të kesh një kampion si Luka në krah, të jep besim dhe qetësi të jashtëzakonshëm. Patëm bashkëpunim të mirë me njëri tjetrin dhe shpresoj që ta kemi edhe në ndeshjet tjera”, tha Jashari.
Sipas tij, Milani gradualisht po forcohet në pjesën e epërme të tabelës dhe tani synon fitoren e radhës, atë në shtëpi kundër Bolognas.