Tuesday, 9. June 2026
Sport

Kosova fiton grupin, siguron Ligën B dhe “play-off”-in e Botërorit 2027

GS 09/06/2026 2 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore të thellë ndaj Gjibraltarit, me rezultat 8:0, në ndeshjen e fundit të Grupit 2 të Ligës C në kualifikimet për Kupën e Botës 2027, duke realizuar sukses historik me kualifikim në ‘play-off’ si dhe promovim në Ligën B për ciklin e ardhshëm kualifikues.

Dardanet, të vetëdijshme se në këtë ndeshje kanë nevojë për fitore me sa shumë gola, e nisën furishëm ndeshjen dhe kaluan në epërsi që në minutën e tretë, kur Donjeta Halilaj e dërgoi topin në rrjetë.

Vetëm katër minuta më vonë, Erëleta Memeti realizoi për 2:0, ndërsa Kaltrina Biqkaj e trefishoi epërsinë në minutën e 14-të.

Memeti realizoi golin e saj të dytë personal në minutën e 21-të, duke e çuar rezultatin në 4:0. Para përfundimit të pjesës së parë, Blerta Smaili shënoi në minutën e 32-të për rezultatin 5:0.

Kosova vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë. Modesta Uka realizoi golin e gjashtë në minutën e 68-të, ndërsa Smaili shënoi për herë të dytë në minutën e 76-të. Rezultatin përfundimtar, 8:0, e vulosi Gentiana Fetaj në minutën e 84-t.

Me këtë fitore bindëse, Kosova e përfundoi grupin në pozitën e parë, me pikë të barabarta me Kroacinë (nga 15), por me goldallim më të mirë.

Dardanet kështu siguruan kalimin në Ligën B për ciklin e ardhshëm kualifikues, si dhe pjesëmarrjen në fazën e “play-off”-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.

Kjo paraqitje e jashtëzakonshme vulosi një cikël shumë të suksesshëm për futbollistet e Kosovës, të cilat dëshmuan cilësi dhe karakter të lartë në çdo ndeshje.

Teilen: