Friday, 9. October 2026
Futboll

Lamine Yamal zbulon këshillën e Sergio Busquetsit që ia ndryshoi karrierën: Ishte momenti kur u zgjova

GS 09/10/2026 2 Min. Lesezeit

Ylli i Barcelonës dhe i Kombëtares së Spanjës, Lamine Yamal, ka rrëfyer një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke zbuluar se një bisedë me legjendën e katalanasve, Sergio Busquets, e ndihmoi të ndryshonte qasjen ndaj futbollit dhe jetës jashtë fushës.

19-vjeçari, i cili në të kaluarën është kritikuar për mungesë serioziteti, ka treguar se fjalët e ish-mesfushorit të Barcelonës shërbyen si një kambanë alarmi për të, duke e shtyrë të përqendrohej plotësisht te karriera e tij.

“Një herë më pezulluan nga Kombëtarja dhe Busquets më pyeti: ‘Çfarë ke bërë?’ Më tha: ‘Je te Barça, duhet të sillesh mirë’. Ishte një moment kur thashë me vete: ‘Duhet të zgjohem’. Që nga ajo kohë, e lashë gjithçka tjetër në plan të dytë dhe iu përkushtova tërësisht futbollit”, ka rrëfyer Yamal në një intervistë për Movistar+.

Talenti spanjoll ka treguar se gjatë asaj periudhe vendosi të hiqte dorë nga daljet dhe aktivitetet e tjera, duke u fokusuar vetëm te stërvitjet, ndeshjet dhe pushimi.

“Ishte një vit kur nuk dola askund. U stërvita, luajta, pushova, shkova të vizitoja nënën time dhe vazhdova kështu. Ishte vetëm futboll, futboll dhe futboll. I thashë vetes se derisa të bëhesha titullar i padiskutueshëm te Barcelona, nuk do të bëja asgjë për të cilën mund të pendohesha”, ka përfunduar ylli spanjoll.

Ndryshimi në qasjen e tij duket se ka dhënë rezultat, pasi Yamal vazhdon të konfirmohet si një nga futbollistët më të rëndësishëm të Barcelonës dhe të Spanjës.

Paraqitjet e tij kanë bërë që emri i 19-vjeçarit të përmendet edhe në mesin e pretendentëve për fitimin e Topit të Artë 2026, në garë me yje si Harry Kane dhe Kylian Mbappe.

Teilen: