Tuesday, 21. April 2026
Futboll

Mirlind Daku elektrizon Kazanin, hapja e dyqanit të Rubin Kazan shndërrohet në festë të tifozëve

GS 21/04/2026 2 Min. Lesezeit

Rubin Kazan ka inauguruar dyqanin e tretë zyrtar në zemër të qytetit, por ajo që duhej të ishte një ceremoni e zakonshme u kthye në një spektakël të vërtetë falë entuziazmit për sulmuesin shqiptar Mirlind Daku.

Në këtë event morën pjesë edhe Daku së bashku me Igor Vujačić, megjithatë vëmendja ishte e gjitha tek reprezentuesi kuqezi. Sipas raportimeve të medias ruse “Sport”, tifozët nisën të mblidhen që dy orë para hapjes, duke krijuar radhë të gjata që shtriheshin deri në rrugë.

Interesimi ishte i jashtëzakonshëm, fanella më e kërkuar ishte ajo me numrin 10 e Dakut, ndërsa shumë prej të pranishmëve kishin ardhur vetëm për ta parë nga afër idhullin e tyre. Një moment prekës u shënua kur një fëmijë, i zhgënjyer që nuk e pa menjëherë Dakun, deshi të largohej, por vendosi të priste pasi u informua se ai do të mbërrinte më vonë.

Me ardhjen e Dakut, atmosfera shpërtheu. Thirrjet e tifozëve pushtuan zonën, ndërsa turma u shty nga dëshira për autografe dhe fotografi. Sulmuesi shqiptar kaloi kohë të gjatë duke u përshëndetur me tifozët, duke nënshkruar fanella dhe duke bashkëbiseduar me ta për formën dhe synimet e sezonit.

Edhe në përfundim të aktivitetit, ai nuk u largua pa dhënë edhe autografin e fundit, mes ovacioneve të vazhdueshme.

Daku është rikthyer së fundmi në fushë pas një periudhe të gjatë jashtë për shkak dëmtimi. Para lëndimit, ai kishte lënë gjurmë me nëntë gola të shënuar për Rubin Kazanin, duke u kthyer tashmë edhe më i motivuar për vazhdimin e sezonit.

Teilen: