Friday, 2. October 2026
Sport

​Muric ende në dyshim, Sassuolo shqetësohet para ndeshjes me Milanin

GS 02/10/2026 2 Min. Lesezeit

Portieri i Kosovës, Arijanet Muric, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së Sassuolos, me klubin italian që po pret me shqetësim rikthimin e tij në dispozicion.

Muric u lëndua në minutën e 65-të të ndeshjes së Kosovës ndaj Austrisë, të cilën Dardanët e humbën 3-1, ndërsa gjendja e tij po monitorohet vazhdimisht nga stafi mjekësor i Kosovës.

Sipas “SassuoloNews”, portieri kosovar ende nuk është rikuperuar plotësisht, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë i gatshëm për ndeshjet e ardhshme.

Për gjendjen e Muricit kishte folur edhe përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, para ndeshjes ndaj Izraelit.

“Ai pësoi një goditje në ndeshjen kundër Austrisë. Nuk mendoj se do të jetë në gjendje të luajë kundër Izraelit, por do të shohim se si është për momentin”, kishte deklaruar Foda.

Muric më pas nuk ishte në formacion për ndeshjen ndaj Izraelit, ndërsa tani vëmendja është kthyer te rikthimi i kampionateve.

Sassuolo e pret Milanin të dielën, më 11 tetor, në ndeshjen që nis nga ora 18:00, por aktualisht Muric konsiderohet ende i dyshimtë për këtë përballje.

Trajneri Alberto Aquilani po e përcjell nga afër situatën dhe, nëse Muric nuk rikuperohet me kohë, në portë mund të aktivizohet Turati.

Për Sassuolon, rikthimi i Muricit do të ishte i rëndësishëm para një ndeshjeje të vështirë ndaj Milanit, ndërsa ditët në vazhdim pritet të japin më shumë qartësi për gjendjen e portierit kosovar.

Teilen: