Wednesday, 11. November 2026
Sport

Në kërkim për mashtrim, kapet në Rinas shtetasi turk. Arrestohet dhe 27-vjeçari shqiptar i dënuar për vjedhje me dhunë

GS 11/11/2026 1 Min. Lesezeit

Dy persona të shpallur në kërkim janë kapur nga Policia Kufitare në aeroportin e Rinasit, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje dhe dalje të territorit shqiptar.

Në dalje të Shqipërisë është arrestuar një shtetas turk, 31 vjeç, me inicialet E. U., i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, me qëllim ekstradimin drejt Turqisë.

Ai akuzohet nga autoritetet turke për mashtrim të kryer gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare. Për të, Gjykata Penale e Shkallës së Parë Nr. 2 në Gebze kishte lëshuar urdhër arresti më 31 korrik 2026.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet turke, po vijon procedurat për ekstradimin e tij.

Ndërkohë, në hyrje të Shqipërisë është kapur edhe një 27-vjeçar shqiptar, me inicialet E. V., i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.

Vendimi për dënimin e tij është dhënë më 3 qershor 2025.

Teilen: