Në ditën e tretë të protestës, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve të distancohen nga aktet e dhunës dhe të shmangin përfshirjen në situata që rrezikojnë jetën dhe shëndetin.
Përmes një mesazhi, policia u kërkon të rinjve të largohen menjëherë nga vendet ku ka përplasje, ndërsa prindërve u bën apel të kujdesen për sigurinë e fëmijëve të tyre.
Në përfundim të mesazhit, policia nënvizon se strukturat e saj janë në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
“Të dashur nxënës, të nderuar prindër! Ju bëjmë thirrje të ruani qetësinë dhe të distancoheni nga çdo akt dhune! Të dashur nxënës, mos u përfshini në veprime të dhunshme që rrezikojnë jetën, shëndetin dhe të ardhmen tuaj! Mos lejoni që askush t’ju përfshijë në situata të rrezikshme! Largohuni menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë! Një apel i veçantë për prindërit! Kujdesuni për fëmijët tuaj! Këshillojini fëmijët të qëndrojnë larg çdo situate të dhunshme. Siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët! Policia e Shtetit është në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e çdo qytetari. Ju lutemi, bashkëpunojmë!”, bën thirrje Policia.
Studentë dhe nxënës kanë bojkotuar mësimin këtë të enjte, duke iu bashkuar protestës, jo vetëm në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera të vendit.
/rtsh.al/