Gazeta prestigjioze sportive The Athletic ka publikuar renditjen e fanellave të të 48 kombëtareve pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2026, duke i vlerësuar ato nga më të bukurat deri te më pak të suksesshmet për sa i përket dizajnit.
Në fund të listës është renditur Kroacia, fanella e së cilës është pozicionuar në vendin e 48-të. Media amerikane kritikoi ashpër dizajnin e ri të Nike, duke vlerësuar se elementi më i njohur i kroatëve, damat kuqezi, nuk është shfrytëzuar siç duhet.
Sipas “The Athletic“, katrorët karakteristikë janë shumë të vegjël dhe pjesa e bardhë në qendër të fanellës e prish identitetin vizual të saj. Në analizën e publikuar, mediumi amerikan e cilësoi dizajnin si një eksperiment të pasuksesshëm mbi një prej fanellave më ikonike të futbollit ndërkombëtar.

Edhe kombëtarja e Bosnjë dhe Hercegovinës nuk arriti të renditej mes më të mirave, duke u pozicionuar në vendin e 31-të. Megjithatë, fanella e prodhuar nga Kelme mori komente më pozitive, me The Athletic që vlerësoi kombinimin e ngjyrës së verdhë me blunë dhe detajet elegante në pjesën e përparme. Kritikat u fokusuan kryesisht te logoja e markës spanjolle, e cila sipas mediumit nuk përshtatet me estetikën moderne të fanellave kombëtare.
Në pjesën e sipërme të renditjes u pozicionua Gana, fanella e së cilës u vlerësua si më e bukura e turneut. Dizajni i frymëzuar nga pëlhura tradicionale ganeze “kente” mori vlerësime të larta për origjinalitetin dhe identitetin kulturor.
Pas Ganës renditen Brazili, Anglia dhe Gjermania, fanella që sipas The Athletic kanë arritur të kombinojnë në mënyrë të suksesshme traditën, elementet retro dhe identitetin unik kombëtar.
Ndër vendet organizatore të Kupës së Botës 2026, Kanadaja u rendit e parafundit, ndërsa Shtetet e Bashkuara zënë vendin e 26-të. Meksika rezultoi organizatorja me fanellën më të vlerësuar, duke u pozicionuar në vendin e 17-të të listës.
