Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka konfirmuar pensionimin e dy futbollistëve, Valon Berishës dhe Fidan Alitit, nga Kombëtarja e Kosovës.
Pas shumë vitesh të kaluar me fanellën e “Dardanëve”, dy futbollistët kanë vendosur t’i japin fund aventurës së tyre me përfaqësuesen.
Valon Berisha, i cili në të kaluarën kishte përfaqësuar Norvegjinë, por më pas zgjodhi Kosovën, e ka cilësuar këtë vendim si një prej vendimeve që do ta bëjë krenar gjatë gjithë jetës.
“Dhjetë vite më parë mora një prej vendimeve që do të më bëjë krenar tërë jetën. Pavarësisht falënderimit që kam për Norvegjinë, shtetin që mua dhe familjes sime na dha mundësinë për një jetë më të mirë, e lashë dhe vendosa t’i bashkohem Kosovës, sepse ndjeva fuqishëm thirrjen e brendshme për ta përfaqësuar gjakun që më rrjedh në vena dhe për t’i bërë krenarë prindërit e mi”, ka shkruar Berisha.
Ai e ka përmbyllur aventurën me Kosovën pas 52 paraqitjeve, duke veçuar golin ndaj Finlandës si një moment që, sipas tij, do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit kosovar.
“Pas shumë vitesh, 52 ndeshjesh dhe disa golash, njëri prej të cilëve, ai kundër Finlandës, do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit të Kosovës, sot ka ardhur koha që periudha ime si futbollist aktiv me Kombëtaren të përfundojë”, ka shkruar ai.
Edhe Fidan Aliti ka njoftuar se po e mbyll kapitullin e tij me Kombëtaren e Kosovës, duke theksuar se përfaqësimi i vendit ka qenë një prej nderimeve më të mëdha të jetës së tij.
“Ta vesh fanellën e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një prej nderimeve më të mëdha të jetës sime. Sa herë që kam dalë në fushë me këtë fanellë, kam dhënë shpirtin e zemrën për të”, ka deklaruar Aliti.
Mbrojtësi ka shtuar se largohet nga Kosova si futbollist, por jo si tifoz i saj.
“Kosova është dhe do të jetë gjithmonë pjesë e imja. Është dhe do të jetë gjithmonë e para, sa herë që të ketë nevojë për mua”, ka shkruar Aliti.
Me pensionimin e Berishës dhe Alitit, Kosova i jep fund një tjetër kapitulli të rëndësishëm të gjeneratës që kontribuoi në vitet e para të përfaqësimit ndërkombëtar të “Dardanëve”.