Barcelona vazhdoi ecurinë pozitive në La Liga duke mposhtur Getafen me rezultatin bindës 3-0 në ‘Estadi Johan Cruyff’, në një ndeshje të zhvilluar mes reshjeve të dendura të shiut. Ky ishte suksesi i 11-të në 13 ndeshjet e fundit në shtëpi për katalanasit.
Fillimi i takimit nuk ishte i lehtë për vendasit, pasi Getafe u tregua e fortë në duele dhe arriti të mbyllë disa hapësira. Megjithatë, Barcelona gjeti rrugën drejt golit në minutën e 20-të: një pasim fantastik i Raphinhës dhe një asist me thembër i Dani Olmos i dhanë mundësinë Ferran Torresit të shënonte me qetësi.
Vetëm pak minuta më vonë, një tjetër aksion i shpejtë me Raphinha-n protagonist e nxori sërish Torressin para portës dhe spanjolli realizoi ‘dopietën’ me një goditje të saktë në cepin e portës. Në fund të pjesës së parë, Torres iu afrua ‘hat-trick’-ut kur goditi traversën.
Në fraksionin e dytë, Getafe pati disa raste për të rihapur ndeshjen, por portieri Joan Garcia reagoi në kohë. Në minutën e 65-të, Dani Olmo vulosi rezultatin 3-0 pas një kombinimi të bukur me Marcus Rashfordin, i cili dha ritëm dhe forcë në sulm pas aktivizimit nga stoli.
Pavarësisht përpjekjeve, Getafe nuk arriti të ndryshojë fatin e përballjes. Kjo ishte humbja e 18-të në 22 vizitat e tyre në fushën e Barcelonës, duke mbetur ende pa fitore në tokën katalanase.