Raportimet e fundit nga mediat iberikase bëjnë të ditur se zyrtarizimi i Zinedin Zidan te Bajern Mynih është vetëm çështje kohe.
Katalansja “El Mundo Deportivo” i jep zë faktit se përfaqësuesit e bavarezëve janë në bisedime të avancuara me trajnerin francez dhe palët po shkojnë drejt mbylljes së marrëveshjes. Nuk ka informacione mbi detajet financiare se sa vite do zgjasë bashkëpunimi, apo rroga që do përfitojë 51-vjeçari. “Zizu” ka tre vjet që po pushon dhe nuk ka marrë drejtimin e ndonjë klubi apo kombëtareje pas largimit nga posti i “timonierit” te Real Madrid.
Fillimisht u tha se Zidan parapëlqente drejtimin e Francës, por vendimi i institucionit më të lartë futbollistik në vendin transalpin për t’i besuar Didie Deshmap edhe pas “Euro 2024” ka rrëzuar pistën në fjalë. Zinedin ka përvojë të frikshme në Ligën e Kampionëve, aty ku ka siguruar tre trofe me “galaktikët” në sezone të njëpasnjëshme. Nëse i hedhim një sy palmaresit të tij, kuota e medaljeve është vërtetë unikale, në varësi të moshës dhe eksperiencës në këtë stad, 11 trofe, duke nisur nga La Liga, Kupa e Superkupa e Spanjës e deri te Champions-i apo Botërori i Klubeve.
Emri i protagonistit në fjalë është përmendur edhe më herët në Mynih, ndonëse jo në trajtë kaq serioze. Vendimi i fundit nga trajneri Julian Nagelsman për të vijuar qëndrimin te kombëtarja e Gjermanisë i dha fund aludimeve mbi rikthimin e mundshëm. Tomas Tuhel do të drejtojë Bajern Mynih deri në mbylljen e etapës aktuale e më pas pritet që Zidan të marrë “frerët” e skuadrës më titullare në Gjermani. Gjigandët nga Mynihu janë në gjysmëfinalen e Championsit dhe rivali i ardhshëm koniston me rekordmenët e Realit.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL