Disfata në derbi i ka vënë kapak eksperiencës së Stefano Piolit te Milani dhe palët po presin vetëm fundin e sezonit për t’i dhënë lamtumirën njëra-tjetrës. Nëse nga një anë trajneri ktheu kuqezinjtë te titulli kampion, nga ana tjetër ai nuk ia doli të konfirmohej në të njëjtat nivele në vitet pasardhëse e kështu, drejtuesit e klubit janë të vendosur ta largojnë.
Sipas mediave franceze, një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Milanit tashmë është Domeniko Tedesko. Trajneri aktual i Belgjikës, sipas “Footmercato”, është kthyer në objektivin kryesor të drejtuesve të klubit kuqezi të cilët e shohin si një të ri me shumë perspektivë, duke parë eksperiencën e tij në të kaluarën në skuadra si Shalke, Spartak Moska dhe RB Lajpcig, para se të merrte drejtimin e përfaqësueses në të cilën ka ringjallur edhe një herë Lukakun.
Bëhet e ditur se palët kanë programuar një takim mes tyre për të diskutuar planet dhe mundësinë e bashkëpunimit, kuptohet pas përfundimit të eksperiencës së tij me Belgjikën në Euro 2024.
PANORAMASPORT.AL