Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka shpjeguar gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të klubit arsyet përse Barcelona ka nevojë për një hua të re prej 300 milionë eurosh, me qëllim përshpejtimin e punimeve për rinovimin e “Spotify Camp Nou”.
Laporta deklaroi se vitin e ardhshëm klubi parashikon të arrijë në 1.195 miliardë euro të ardhura, ndërsa përfundimi i “Spotify Camp Nou” konsiderohet vendimtar për rritjen ekonomike të Barcelonës. Sipas tij, projekti do të sjellë një zhvillim të paprecedentë në historinë e klubit.
Presidenti i Barcelonës theksoi se stadiumi i ri synohet të shndërrohet në epiqendrën e klubit dhe në një burim të rëndësishëm të ardhurash.
Laporta shpjegoi se punimet nisën të përballeshin me vonesa dhe rritje të kostove që nga prilli i vitit 2023. Në kontratën fillestare ishin parashikuar rreth 800 ndërhyrje, por numri i tyre përfundoi në rreth 3,000 ndërmjet katit të parë dhe të dytë.
Sipas tij, konfliktet e armatosura në botë sollën gjithashtu rritje të kostove të materialeve, duke ndikuar në ecurinë e projektit.
Një tjetër faktor që ka rënduar financat e klubit janë kostot e krijuara nga pamundësia për t’u rikthyer në “Spotify Camp Nou”. Për këtë arsye, Barcelona është detyruar të zhvillojë ndeshjet në stadiumin olimpik “Lluís Companys”, në Montjuïc.
Laporta bëri të ditur se klubi po kërkon aktualisht miratimin për përditësimin e financimit të projektit Espai Barça me 300 milionë euro. Ai sqaroi se kjo shumë do të përdoret për përfundimin e stadiumit dhe për përshpejtimin e krijimit të të ardhurave.
Sipas presidentit të Barcelonës, financimi i ri nuk do të prekë llogaritë e klubit apo politikën sportive, pasi fondet do të jenë të dedikuara për përfundimin e “Spotify Camp Nou”.