Është zhvilluar edicioni i 26-të i Maratonës “Prishtina 2026”, me pjesëmarrjen e mbi 1,700 vrapuesve nga Kosova dhe vende të ndryshme të rajonit.
Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, bëri të ditur se gara përfshiu disa disiplina, përfshirë maratonën e plotë 42.195 kilometra, gjysmëmaratonën, 10 dhe 5 kilometra, si dhe garën 2-kilometërshe për fëmijë.
Sipas tij, në garë morën pjesë atletë nga Shqipëria, Serbia, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera.
Pjesë e maratonës ishte edhe Artan Thaçi, djali i humoristit të ndjerë Rasim Thaçi. Ai vrapoi me një fanellë me stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një vrapim me dedikim të veçantë.
Në garë morën pjesë edhe shumë fëmijë, mes tyre 10-vjeçarja Sara Lekaj, e cila vrapoi 5 kilometra për herë të parë.
Organizatorët theksuan rëndësinë e kësaj ngjarjeje sportive dhe shprehën dëshirën që numri i pjesëmarrësve të rritet në edicionet e ardhshme.