Michael Olise është përfshirë në një polemikë të madhe jashtë fushës. Fatima Zaunbrecher, nëna e vajzës së tij 20-muajshe, e akuzon yllin e Bayern Munich se nuk e ka takuar kurrë të bijën dhe nuk ka paguar as pensionin ushqimor të premtuar. Sipas saj, një test ADN-je ka konfirmuar atësinë e futbollistit.

Në një intervistë për “Bild”, Fatima deklaroi: “Ai nuk flet me mua, por vetëm përmes avokatëve. Më dhemb të shoh sa i pandjeshëm mund të jetë dikush ndaj fëmijës së vet”. Ajo shtoi se fillimisht iu ofruan 836.50 euro në muaj, më pas shuma u rrit në 2 mijë euro, por pretendon se paratë nuk i kanë mbërritur kurrë.

Nga ana tjetër, avokatët e Olise japin një version tjetër. Ata pretendojnë se futbollisti nuk iu është shmangur përgjegjësive dhe se mosmarrëveshja lidhet me kushtet e marrëveshjes financiare, ndërsa sipas tyre nëna e fëmijës kishte kërkuar një shumë shumë më të lartë. Negociatat mes palëve vazhdojnë dhe çështja mbetet ende e pazgjidhur.
