Këtë mesjavë do të zhvillohet xhiroja e 26-të e Superligës së Kosovës në futboll. Të mërkurën dhe enjten do të zhvillohen pesë duelet e kësaj xhiroje që pritet të jetë shumë interesante.
Të mërkurën janë në program tri ndeshje por vëmendja do të jetë në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë. Prej orës 13:00, skuadra e Malishevës e pret Llapin në ndeshjen derbi për kreun e tabelës.
Malisheva zë vendin e katërt në tabelë me 41 pikë dhe në këtë duel futet pas humbjes që e pësoi në vikend nga Ballkani.
Kjo disfatë për Malishevën erdhi pas një serie prej katër fitoreve. Në anën tjetër, Llapi është ekipi me formën më të mirë në stinorin pranveror.
Në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani në pranverë, ka pesë fitore e një barazim. Është i dyti në tabelë me 50 pikë, një më pak se Ballkani që është lider dhe po ashtu luan të mërkurën në të njëjtën kohë. Megjithatë, Ballkani do të ketë punë më të lehtë pasi llogaritet favorit kundër Fushë Kosovës në ndeshjen që luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Fushë Kosova po lufton për mbijetesë dhe në tri ndeshjet e fundit ka marrë pesë pikë.
Ndërkohë, Gjilani do ta kërkoj fitoren e parë në pranverë pasi të mërkurën e pret Lirinë e Prizrenit që është e fundit në tabelë me vetëm 10 pikë.
Xhiroja do të mbyllet të enjten, me dy ndeshjet tjera. Prishtina në Lipjan përballet me skuadrën e Dukagjinit ndërsa Feronikeli ’74 e pret në Drenas skuadrën e Dritës. Edhe këto ndeshje startojnë në orën 13:00.